Konjufca: Po sigurohemi nga Rama, Nikolla e personalitete tjera që Shqipëria do të qëndrojë krah Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas vizitës që ia bëri kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se marrëdhëniet mes të dy vendeve janë të shkëlqyeshme e vëllazërore.
Në konferencë për shtyp, Konjufca ka kujtuar edhe ndihmën që Shqipëria ia ka bërë Kosovës gjatë dekadave.
Ai tha se në çdo fazë që ka kaluar Kosova, për arritjen e lirisë e çlirimit prej okupimit serb, përpjekjet e Kosovës për themelimin e institucioneve e deri tek siç e quajti Konjufca, fitorja e jashtëzakonshme e Kosovës në GJND që konfirmoi pavaërsinë e Kosovës, në prapavijë ka qenë kontributi i Shqipërisë.
“Ne nuk mund të gjejmë fjalë për të shprehur falënderimin tonë për Shqipërinë gjatë dekadave. Pra, në çdo fazë që ka kaluar Kosova, për arritjen e lirisë e çlirimit prej okupacionit serb, e pastaj përpjekjet tona të vazhdueshme e të vështira për themelimin e institucioneve të Kosovës e çdo moment kritik që kemi kaluar si popull e shtet i Kosovës, duke nisur prej shpalljes së pavarësisë, fitores sonë të jashtëzakonshme në GJND që konfirmoi pavarësinë e Kosovës e përpjekjeve jo të lehta për njohje, në prapavijë e kemi pasur kontributin e palodhshëm e të çmuar të Shqipërisë e cila ka qenë krah Kosovës në arritjet tona të përbashkëta që i kemi pasur historikisht”, është shprehur Konjufca.
Tutje, Konjufca tha se Kosova vazhdimisht po sigurohet nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama e personalitete të rëndësishme politike se Shqipëria do të qëndrojë krah Kosovës.
“Kosova ka shumë sfida përpara, por vazhdimisht po sigurohemi nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, edhe nga kryeministri Rama edhe nga personalitetet më të rëndësishme politike të Shqipërisë se do të qëndrojnë krah Kosovës në mbrojtjen e interesave tona, kjo na mbush me më shumë kurajo se e ardhmja e popullit tonë do të jetë më e ndritur se sot sepse ne gjithmonë do të lidhemi më shumë me njëri-tjetrin në vitet e ardhshme sepse ky është thelbi i interesit tonë kombëtar”, ëshë shprehur Konjufca.