LajmeSport

Ma bënë padrejtësinë se hyra me qeleshe”, Marku: Të gjithë të marrin flamurin, do jetë çmenduri me shqiptarët në Tottenham

Më 25 shtator Florian Marku do të rikthehet përsëri në ring. Dëmtimet janë hedhur pas krahëve dhe tani ka ardhur koha për të synuar titullin e parë kampion. Boksieri shqiptar i pëlqen sfidat e vështira dhe do të ndeshet në stadiumin e Tottenham-it nën sytë e 70 mijë spektatorëve me kampionin Maksim Prodan. Marku ka dhënë së fundi një intervistë për “Report TV”, ku flet gjerë e gjatë mbi duelin e ardhshëm, ndërsa premton se ka për të bërë krenar të gjithë shqiptarët.

“Jam stërvitur shumë. Kam 4 muaj që stërvitem pa ndaluar. Mezi e kam pritur këtë ndeshje. Para kësaj ndeshjeje kam pasur dy operime dhe ky është shkaku që kam 7 muaj që kam pritur pa u ndeshur. Por tani jam gati më shumë se kurrë. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për karrierën timë. Është titulli i parë për mua në boks. Është në eventin më të madh në botë. Do zhvillohet në stadiumin e Tottenham-it, ku do të ketë afërsisht 70 mijë vetë publik dhe ndeshja e mbrëmjes është Joshua kundra Usyk-ut. Jam përgatitur si kurrë më parë dhe ju jap fjalën që nuk do i zhgënjejë të gjithë shqiptarët.

Jam shumë i lumtur. Po ta shoh jetën time ku kam qenë para 5-6 viteve, më duket çdo gjë sikur është ëndërr. Falenderimi i takon Zotit, se ky është një shans i madh për mua që të performoj në një nga arenat më të mëdha në botë dhe në një ndeshje si kjo. Nuk ndjej ndonjë presion. Është hera e parë që ndeshem në një stadium kaq të madh.

Suksesi im ka ardhur vetëm nga puna e palodhshme. Kam shumë vite që nuk pushoj. Sportistët e tjerë ndonjëherë ndalojnë, bëjnë pushime. Mua nuk më intereson asgjë për momentin, deri sa t‘ja arrij të fitoj titullin e kapionit të botës, që e kam patur një ëndërr. Përgatitja është e vështirë, për mua ndeshja është gëzim. Java e ndeshjes është java më e bukur.

Maksim është një kundërshtar goxha i fortë. Ka 19 fitore dhe nuk njeh asnjë humbje. E ka mbajtur titullin IBF për 3 vite rresht. Dëgjova një intervistë të tij që kishte thënë: ‘Floriani bëri shumë gabim që pranoi të ndeshet me mua, se unë jam shumë nivele lart tij’. Unë do i tregoj jo vetëm gjithë shqiptarëve, por gjithë botës se për mua Maksim ka për të qenë dashtë Zoti një ndeshje shumë e lehtë. Mua Maksim më ka nënvlerësuar. Shyqyr Zotit më ka ardhur ky shans.

Nuk do lejoj asnjë ndeshje që ndeshja të përfundojë me pikë. E pashë dhe u zgjënjeva shumë. Nëse kundërshtari është më i fortë apo më i aftë se mua, atëherë unë në fund të ndeshjes i jap dorën dhe e di që ka qenë më i miri. Por jo siç ma bënë mua padrejtësinë, sepse u futa me qeleshe. Edhe prapë kam për tu future me qeleshe. Vetëm sepse u futa me qeleshe dhe bëra gjithë atë atmosferë dhe entuziasëm për publikun ma bënë këtë padrejtësi. Siç e patë të gjithë ajo ishte një fitore e pastër. Një raund mund ti jepnin Stuart-it. Por ishte shumë e komplikuar puna këtu në Angli. Por nuk do lejoj më që asnjë ndeshje të shkojë në pikë, sepse do jap maksimumin, sidomos kur do ndeshem me dikë që është anglez. E mira është që Maksim të paktën nuk është anglez dhe besoj se do i kem gjyqtarët në favorin tim, sepse unë ndeshem në Angli 3 vitet e fundit.

Me shqiptarët është çmenduri. Jam shumë krenar që jam shqiptar. Në çdo ndeshje më bëjnë edhe më të lumtur. Sidomos kur ndodhi barazimi, aty e kuptova se sa më donin shqiptarët dhe më dhanë akoma edhe më shumë zemër. Këtë ndeshje nuk e di se sa bileta do kenë blerë shqiptarët, por e di që do jetë një çmenduri. I kam thënë të gjithëve që të marrin flamurin kuqezi me vete, që i gjithë stadiumi i Tottenham-it të jetë kuqezi. Ndeshje në Shqipëri? Jemi diskutuar për fund të këtij viti. Por nëse nuk bëhet në fund të këtij viti, atëherë në fillim të vitit tjetër. Do ndeshem si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Kam për të zhvilluar dy ndeshje.

Marr mesazhe pafund dhe mundohem ti lexoj të gjitha. Ma shtojnë forcën. Jam i vetmi sportist që i kam bërë kaq krenar. Sepse edhe ditën e ndeshjes keni për ta parë që kam për të bërë një shoë të bukur me një këngë shqiptare, me qeleshe, me një veshje të bukur tradicionale shqiptare. Besoj do i pëlqejë të gjithë shqiptarëve. Sepse kam dëshirë që para mijëra e miliona shikuesëve t’i tregoj botës se sa krenar jam që jam shqiptar dhe sa i bukur është flamuri jonë”, ka deklaruar Florian Marku.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button