Lajme

Osmani për “Ballkanin e Hapur”: Po mbrojmë interesat e Kosovës, s’kemi ftohje të raporteve me Shqipërinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova nuk ka dhënë asnjë arsye që do nxiste ftohjen e raporteve me autoritetet e Shqipërisë, duke theksuar se refuzimi i “Ballkanit të Hapur” është mbrojtje e interesave të vendit. Në një intervistë për DË, Osmani ka theksuar se pranimi i kësaj iniciative, të nisur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, nuk do mundësonte shtyrjen përpara të interesave të Republikës së Kosovës.

“Ne çfarë kemi bërë, është mbrojtja e interesave të vendit tonë sovran. Dhe pikërisht kjo ndodh, kur ne refuzojmë iniciativën “Open Ballkan”, e njohur si iniciativa e Novi Sadit, për shkak se aty nuk mund t’i shtyjmë përpara interesat e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, përderisa Serbia vazhdon të mohojë ekzistencën tonë si shtet. Iniciativa të tjera rajonale, të cilat na shtyjnë pozitivisht drejt Bashkimit Evropian, ekzistojnë”, tha ajo.

Osmani ka theksuar se Procesi i Berlinit është “kulmi i përbashkët” ku rajoni ulet dhe mund të arrijë sukses.

Tutje, e pyetur për marrëdhëniet me SHBA-në, Osmani deklaroi se Kosova është në pikë të shkëlqyeshme të raporteve, duke përmendur kontaktet që ajo dhe kryeministri Albin Kurti i kanë me përfaqësuesit amerikanë, në baza ditore.

“Ne, që nga zgjedhja jonë, kemi pasur vazhdimisht edhe shkëmbim letrash me presidentin Biden, edhe kontakte gati ditore me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, të National Security Council edhe të tjerë. Kjo dëshmon, jo vetëm vlerësimin e lartë që e kanë ata, që Kosova po luan rol të rëndësishëm, jo vetëm në raportet bilaterale, por edhe për problemet globale, siç ishte gatishmëria jonë, si shteti i parë, për të marrë refugjatë afganë, si aleatë të Shteteve të Bashkuara, por edhe me rolin që po e luajmë në rajon dhe gjetiu. Ne nuk kemi asnjë çështje, për të cilën nuk pajtohemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të cilën nuk e kemi përkrahjen e plotë të tyre. Unë do të udhëtoj tani për Shtetet e Bashkuara për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që nuk është vizitë bilaterale, por ka të bëjë me takime me liderë të shteteve të tjera, ku do të diskutojmë raportet me Kosovën, por në nëntor do të udhëtoj prapë në Amerikë dhe shpresoj shumë që edhe do të kemi vizita të rëndësishme nga vetë Shtetet e Bashkuara në Kosovë”, ka thënë ajo.

Tutje, duke biseduar për pozicionin e SHBA-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e para e shtetit tha se ka një interesim të madh në këtë proces nga zyrtarët e SHBA-së dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me ta.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button