Ischinger: Gjermania duhet ta marrë shembull Kosovën për të zgjedhur një grua presidente
Diplomati i njohur gjerman, Wolfgang Ischinger ka thënë që Gjermania duhet ta ndjek shembullin e Kosovës për ta zgjedhur një grua presidente.
Gjatë një diskutimi të organizuar nga Rrjeti për Politikë të Jashtme (DGAP), në të cilin e pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Ischinger ka thënë se Kosova ka dhënë shembull shumë të mirë duke pasur dy gra presidente.
“Kombi i ri i Kosovës, ka gruan e dytë presidente deri më tani, në historinë e shkurtër që nga pavarësia në vitin 2008, janë zgjedhur dy gra presidente. Ne jemi duke pasur një debat në Gjermani pse ne kurrë s’kemi pasur një grua presidente, deri më tani, pra ndoshta ne mund të mësojmë nga Kosova”, tha ai.
Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka pasur dy presidente.
Atifete Jahjaga është zgjedhur presidente më 7 prill 2011, dhe ishte kandidatja e përbashkët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokartike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e atëherë ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.
Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e vendit, më 4 prill të këtij viti.