“Bashkimi i Shqiptarëve në Ukrainë”, viziton Agjencinë Kombëtare të Diasporës
Përfaqësues të Shoqatës Bashkimi i Shqiptarëve në Ukrainë ndodhen për një vizitë disaditore në Tiranë.
Ditën e sotme delegacioni i shoqatës është takuar me Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Sonila Hysi. I pranishëm në takim ishte edhe Koçi Tahiri, kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Besëlidhja Gorare” Qarku Korçë.
Gjatë takimit u diskutua për nismat e ndërmarra nga AKD dhe bashkëpunimin me komunitetin shqiptar në Ukrainë. Qëllimi i këtij takimi është zgjerimi i urave të komunikimit dhe zhvillimi i programeve të përbashkëta.
Agjencia Kombëtare e Diasporës në zbatim të programeve që ka për shqiptarët e Ukrainës ka realizuar memorandum bashkëpunimi me qëllim krijimin e Qendrës së Informacionit të Shqipërisë në Universitetin e Izmailit, kjo për të nxitur organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në Ukrainë. Gjithashtu, gjatë vitit 2019, Agjencia Kombëtare e Diasporës në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Operas dhe Baletit ka realizuar disa cikle takimesh për tu mësuar vallet tradicionale shqiptare anëtarëve të komunitetit shqiptar në Ukrainë.