Lajme

Njihuni me Todin, 48 vjeçari nga Pusteci që ia ka kushtuar jetën peshkimit

Prespa është një nga zonat më të bukura të qarkut të Korçës, me një natyrë piktoreske, me ajrin e pastër dhe qetësinë që të jep. Por, kjo zonë njihet si një nga zonat më të varfëra, me banorët që si zgjidhje për të jetuar kanë kultivimin e çajit të malit dhe peshkimin.

Reportazhin e sotëm do t’ia dedikojmë një prej peshkatarëve të Prespës, 48 vjeçarit Todi Jono, i cili ia ka kushtuar jetën e tij peshkimit dhe fitimit të të ardhurave nga ky aktivitet. Todi ka rreth 20 vite që peshkon në liqenin e Prespës, duke siguruar nga 30 kg deri në 60 kg peshk çdo ditë.

“Kam më shumë se 20 vjet që merrem me peshkim. Është një nga sektorët më të vështirë, por më ka pëlqyer shumë. Që kur isha fëmijë shikoja të mëdhenjtë afër liqenit, sepse më pëlqente shumë liqeni, dhe aty mu krijua dëshira për tu bërë peshkatar. Dhe kjo dëshirë u bë realitet.

Në atë kohë, shkonte babai im për të peshkuar dhe nga ai më ka hyrë në gjak peshkimi. Kur e ze peshkun ke një kënaqësi të madhe, është e vështirë që ta zesh, por vetë puna të mëson. Peshkimi është traditë tek ne, u mësua çdo gjë rreth tij, dhe nga viti në vit me pajisjet që kemi më të reja, bëhet më e thjeshtë kapja e peshqve. Gjuetia bëhet me rrjeta dhe me grepa, dhe peshkatarët ja kanë marrë dorën.” – tregon Todi.

Si një mënyrë për fitimin e të ardhurave, peshkimi ka edhe problematikën e tij për banorët. Si duket, vitet e fundit sasia e peshqve të kapur është rritur ndjeshëm, ndërsa fuqia blerëse vijon të jetë në rënie.

“Si fëmijë ne fillimisht e nisëm peshkimin me grepa sepse në atë kohë skishte rrjeta, e më pas në demokraci filluam të peshkonim me rrjeta. Këtë vit është shtuar shumë peshku, në përgjithësi është shtuar më shumë krapi. Si sasi kapim goxha, por pjesa më e madhe e banorëve kanë ikur jashtë shtetit, e për shkak të largimit të tyre ka rënë fuqia blerëse.

Tani është periudha që një pjesë të peshkut e shesim, ndërsa pjesën tjetër e kriposim dhe e shesim dimrit. Çmimi i krapit vitet e kaluara ka qenë 5 mijë lek të vjetra për kile, pasi edhe sasi kishte më pak, dhe banorët ishin më të shumtë që e blinin, ndërsa tani peshku është shtuar, numri i banorëve është ulur dhe për këtë shkak një pjesë e tij mbetet pa shitur. Kriposja e peshkut është traditë e Prespës, ku pjesën që ngelet pa shitur, ne e kriposim dhe e shesim gjatë dimrit.” – shprehet peshkatari.

Tradita e kriposjes së krapit ekziston prej vitesh në këtë zonë, dhe është një traditë që e kanë vetëm banorët e Prespës.

“Të gjithë e preferojnë këtë lloj gatimi, por vetëm banorët e Prespës e dinë se si përgatitet ai. Është gatim ndryshe nga një peshk i zakonshëm, pasi është i thatë dhe konsumohet vetëm në dimër.

Në Korçë banorët kanë pastërmanë, dhe ne e quajmë peshk pastërma këtë lloj gatimi që preferohet shumë jo vetëm nga banorët, por edhe nga turistët që zgjedhin zonën tonë për të parë gjërat e veçanta që ajo ka.

Krahas krapit, ne kemi edhe cironën, i cili është një peshk për të pasur e të varfër pasi çmimi është i përballueshëm, 1 kg është 100 lek të reja. Dhe cirona ka shitje mjaft të madhe krahasuar me krapin.” – tregon Todi.

Todi Jono ka një apel për të gjithë të rinjtë e Prespës, ata që janë fanatikë të qëndrimit në këtë zonë duke mos e braktisur.

“Shumica e të rinjve si kudo, edhe nga Prespa kanë ikur, një pjesë fare e vogël janë futur në peshkim. Vështirë është që të rinjtë të merren me peshkim, sepse ata s’ia kanë idenë e profesionit dhe siç e thashë është një nga sektorët më të vështirë, dhe sbesoj që ata të futen kaq kollaj.

Megjithatë uroj që të kenë dëshirën ta marrin si profesion. Është një profesion që nuk të le në baltë pavarësisht vështirësive që ka, por kënaqësia që fiton gjatë kohës të peshkimit nuk krahasohet me asgjë tjetër.” – thotë Todi.

Peshkatarët e Prespës, duke krijuar edhe shoqatën e tyre, janë më të organizuar në peshkim dhe në tregtinë e peshkut, duke siguruar kështu të ardhurat për familjet e tyre.

Normalisht që ndihmë do të ishte nëse do të kishte një pikë ku ata të mbanin sasinë e pëshkut që ngelej pa u shitur, në një frigorifer të madh, në mënyrë që edhe gjatë dimrit të mos ketë mungesa.

Megjithatë, ata ndihen optimistë sepse vitet e fundit duket se tregtia e peshkut po ecën me hapa më të shpejtë krahasuar më vitet e kaluara.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button