“Zgjoi”, kandidat për “Filmin më të mirë” në European Film Awards
Filmi “Zgjoi”, me regji të Blerta Basholli është përzgjedhur si kandidat për trofeun “Filmi më i mirë” nga European Film Awards.
Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se ky është një tjetër sukses për këtë film.
“Një tjetër sukses për filmin “Zgjoi”. Filmi me regji të Blerta Basholli është përzgjedhur si kandidat për trofeun “Filmi më i mirë” nga European Film Awards”, u shpreh Margariti.
“Vetëm disa muaj më parë “Zgjoi”, kjo histori e vërtetë dhe frymëzuese, u nderua me tri çmime në festivalin më të madh të filmit të pavarur në SHBA, 2021 Sundance Film Festival, si “Filmi më i mirë”, “Regjisorja më i e mirë” dhe “Vlerësimi i publikut””, theksoi Margariti.
“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik mes Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri)”, tha Margariti.
“Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të sajë të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj sajë. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.