Lajme

Lapid fton Gërvallën në Izrael, priten katër marrëveshje me Kosovën

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Izraelit, Yair Lapid, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, nga data 8 maj do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Izrael.

Në kuadër të kësaj vizite, ministrja Gërvalla do të takohet dhe do të bisedojë ndër të tjera me homologun e saj Lapid, me kryetarin e Jerusalemit Moshe Leon, ministrin për Jerusalemin dhe Trashëgiminë Zeev Elkin, kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike Uriel Lynn dhe një grup mërgimtarësh, të cilët jetojnë në Izrael, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Poashtu Ministria njofton se gjatë kësaj vizite temat kryesore do të jenë avancimi i marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare.

Me qëllim të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe do të nënshkruhen katër marrëveshje të bashkëpunimit, përmes të cilave Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Izraelit do të angazhohen për të promovuar dhe intensifikuar bashkëpunimin në fushën e edukimit, kulturës, bashkëpunimit ekonomik, bujqësisë, ujërave, shkencës, teknologjisë, inovacionit, shëndetësisë dhe fushave të tjera me interes të përbashkët.

Vizita e ministres Gërvalla në këtë shtet është e para e një ministri të Punëve të Jashtme të Kosovës, që nga njohja e Republikës së Kosovës nga Izraeli.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button