Lajme

Një gjeneral në krye të shtetit, PS propozon Bajram Begajn

Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste (PS) pasditen e 3 qershorit është bërë publik emri i kandidatit zyrtar të mazhorancës për President të Republikës së Shqipërisë.

Bëhet fjalë për Bajram Begajn, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura.

Ishte vetë kryeministri i Shqipërisë dhe njëkohësisht kreu i PS-së, Edi Rama, ai që bëri lajmin publik.

Për kryeministrin, Begaj është “shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e sensit të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyrë ka një nevojë urgjente”.

Begaj do të jetë i treti president në Republikën e Shqipërisë që vjen nga bota ushtarake.

Ai më parë shërbeu si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.

Rama sqaroi se në fillim janë përjashtuar emrat e ardhur nga grupi parlamentar dhe ato të ardhur nga jeta politike.

“Ne duhet t’u japin shqiptarëve, një president që nuk ka karrierë në PS”, tha Rama.

Nesër ky emër pritet të depozitohet në Kryesinë e Kuvendit – pasi të jetë firmosur nga të paktën 20 deputetë – ku disa orë më vonë do të mbahet edhe votimi.

Në mbledhje u diskutua mbi një listë prej 26 kandidaturash të propozuara nga ligjvënësit socialistë.

Takimi në selinë rozë zgjati mbi 2 orë dhe u zhvillua pa praninë e telefonave.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button