DiasporaLajme

Kanada/ Shqiptarja Anaida Deti kandidate mes “25 emigrantëve më të suksesshëm

Për më shumë se një dekadë, revista e njohur kanadeze “Canadian Immigrant” zgjedh 25 emigrantët më të suksesshëm në Kanada. Kështu projekti “Top 25 Canadian Immigrant Awards” i kësaj reviste ka qenë vendi i duhur për ndarjen dhe festimin e historive frymëzuese të emigrantëve të rinj. Historitë e udhëtimeve të tyre të emigrimit, barrierat që kanë kapërcyer, arritjet e tyre të mahnitshme dhe ndryshimi që kanë bërë në vendin e tyre të adaptuar janë të rëndësishme për t’u ndarë. Kur votimi online po vazhdon deri më 10 qershor, nga kjo javë versioni online i revistës ka nisur publikimin e profileve të 75 finalistëve më të mirë të programit të këtij viti. Në mesin e tyre është edhe dentistja dhe folësja motivuese shqiptare Anaida Deti, e cila para një viti i ka dhënë një intevistë gazetës “Diaspora Shqiptare”. Anaida Deti ka ardhur nga Shqipëria në Kanada para gati dy dekadash, si dentiste e diplomuar. Pas dhjetë vitesh punë shtatë ditore dhe pas diplomimit të sërishëm në Kanada, ajo hapi klinikën e saj “DentalX” në Toronto më 2013. Një higjieniste dentare e regjistruar, Anaida ka bërë si mision të saj të edukojë pacientët për shëndetin, dhe jo vetëm. Kështu ka themeluar “Mission Kind”, organizatë bamirëse për të ndihmuar fëmijët në nevojë që kujdesin stomatologjik ta marrin pa pagesë. Ajo është gjithashtu edhe kolumniste e gazetës së njohuar online “The Huffington Post”, ku shkruan kryesisht këshilla dentare, dhe personazhe nëpër mediat kryesore kanadeze. Anaida ka dhënë shumë intervista dhe ka fituar shumë çmime kanadeze dhe ndërkombëtare. Kështu ka rënë në sy edhe pasioni i saj për profesionin që ajo e ushtron tani që e kishte ëndërruar kur ishte fëmijë. Kështu revista “Industry Wired” duke e përshkruar portretin e shqiptares së re në Kanada ndër të tjera shkruan: “Që kur ishte vajzë e re Anaida donte të bëhej stomatologe, për të qenë specifike ortodonte. Stomatologjia ishte diçka që e kishte magjepsur gjithmonë. Kjo nuk do të thotë se ajo nuk kishte frikë të shkonte te dentisti! Sigurisht, ajo ishte, por asaj i dukej gjithashtu shumë interesante. Anaida thoshte se kur të bëhej stomatologe do t’i ndihmonte të gjithë personat që kishin frikë si ajo, të prisnin me padurim takimet e tyre dentare. Takimi i parë te dentisti i Anaidës ishte në moshën 7-vjeçare, ajo kujton se dentisti, infermierja dhe mami e saj e mbanin përqafuar sepse ishte shumë e tmerruar. Takimi i radhës i Anaidës tek dentisti ishte kur ishte 19 vjeç dhe shkoi vetëm sepse kishte dhimbje të forta. Stomatologjia ka ndryshuar që atëherë për fat të mirë. Tani Anaida sheh fëmijët që presin me padurim takimet e tyre dentare, po ashtu edhe të rriturit. Revista “Canadian Immigrant” bën thirrje të hidhet vota për finalisten Anaida Deti, duke e theksuar faktin se ajo është me origjinë nga Shqipëria, dhe që është pronare e “DentalX” në Toronto, dhe themeluese e “Mission Kind”, duke ndihmuar fëmijët e moshës 6 deri në 16 vjeç të marrin pa pagesë punën shumë të nevojshme dentare. Aty thuhet se ajo ka marrë çmime të shumta për punën e saj në profesion dhe jo vetëm.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button