Haradinaj i përgjigjet Abazoviqit për demarkacionin
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili ka thënë se çështja e demarkacionit është e përfunduar.
Haradinaj ka thënë se çështja e demarkimit të kufirit kryhet atëherë kur ka përputhje midis dy parlamenteve, shkruan Reporteri.net.
“Nuk kryhet kufiri prej një palë, duhet ta kuptojmë këtë, nuk ka kufi që kryhet njëanshëm. Vetëm kur përputhet se kanë votuar dy parlamentet, vetëm atëherë thuhet se është punë e kryer. Çka kanë votuar ata ne fare nuk merremi, është njëra e palë, por pala jonë e Kosovës ka votuar tre dokumente në të njëjtën kohë”, është shprehur Haradinaj në RTV Dukagjini.
Sipas tij, hapi i radhës është komisioni, i cili duhet të dalë të shënojë kufirin sepse siç thotë Haradinaj, Kosova ka të drejtë të shënojë kufirin vetëm për atë se çka ka votuar vetë dhe jo Mali i Zi.
“Kjo nëse nuk ka mirëkuptim atëherë kalojmë në etapën tjetër, nëse kryeministri i Malit të Zi nuk dëshiron të hapë çështjen që kemi votuar ne, atëherë kjo na obligon neve që të shkojmë më tutje”, shtoi ai.