Erdogani kundërshton anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, bëri të ditur të premten se vendi i tij nuk e përkrah anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Ai tha se Turqia mund ta përdorë statusin e saj si anëtare e aleancës ushtarake perëndimore për të vënë veto kundër pranimit të të dyja vendeve.
“Ne po ndjekim me kujdes zhvillimet në lidhje me Suedinë dhe Finlandën, por nuk jemi të një opinioni të favorshëm”, u tha Erdogani gazetarëve.
Udhëheqësi turk e shpjegoi kundërshtimin e tij duke përmendur mbështetjen e supozuar të Suedisë dhe vendeve të tjera skandinave për militantët kurdë dhe të tjerët që Turqia i konsideron si terroristë.
Ai akuzoi gjithashtu Greqinë, një aleate e NATO-s, për përdorimin e aleancës kundër Turqisë, duke thënë se Ankaraja nuk dëshiron përsëritjen e atij “gabimi”.
Erdogani nuk tha drejtpërdrejt se ai do të bllokonte çdo përpjekje për pranim që dy vendet nordike mund të bënin, por NATO i merr të gjitha vendimet e saj me konsensus, që do të thotë se secili nga 30 vendet anëtare ka një veto të mundshme se kush mund të bashkohet.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Finlanda dhe Suedia, nëse do të aplikojnë zyrtarisht për t’u bashkuar me organizatën më të madhe të sigurisë në botë, do të priten me krahë hapur.
Procedura e anëtarësimit mund të bëhet brenda “dy javësh”, kanë thënë disa zyrtarë të NATO-s, megjithëse mund të duhen rreth 6 muaj që vendet anëtare të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit.
Ndërkohë, një raport i Qeverisë suedeze mbi situatën e ndryshuar të sigurisë, me të cilën përballet vendi nordik pas pushtimit rus të Ukrainës, thotë se Moska do të reagonte negativisht ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe do të nisë disa kundërmasa.
Analiza e politikës së sigurisë e Qeverisë suedeze, e cila do të përdoret si bazë për kabinetin e kryeministres Magdalena Andersson për të vendosur nëse do të kërkojë anëtarësimin në aleancën ushtarake perëndimore, iu prezantua ligjvënësve suedezë të premten.
Partia Social Demokratike në pushtet e Suedisë, e udhëhequr nga Andersson, pritet të zbulojë vendimin e saj të dielën.
Raporti vuri në dukje anëtarësimin në NATO që bart një sërë avantazhesh për Suedinë – mbi të gjitha sigurinë kolektive të ofruar nga aleanca ushtarake prej 30 anëtarësh. Në të njëjtën kohë, ai rendit taktika të shumta që Rusia ka të ngjarë të ndërmarrë si hakmarrje.
Këto do të përfshijnë sulme kibernetike dhe të ndryshme hibride, shkelje të hapësirës ajrore suedeze ose detit territorial. Sjellje të tjera agresive, duke përfshirë sinjalizimin strategjik me armë bërthamore, janë gjithashtu të imagjinueshme nga Moska, thuhet në raport.
Raporti thekson se lufta e Rusisë në Ukrainë kufizon mundësitë për sulme ndaj vendeve të tjera, por se Rusia ka ende kapacitetin për një numër të kufizuar masash armiqësore kundër vendeve si Suedia.
Raporti nuk jep rekomandime nëse Suedia duhet të anëtarësohet në NATO apo jo. Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, u tha ligjvënësve në legjislaturën e Riksdagenit se “një sulm i armatosur ndaj Suedisë nuk mund të përjashtohet” dhe vuri në dukje garancinë e sigurisë që do të ofronte anëtarësimi në NATO.
Presidenti dhe kryeministri i fqinjit nordik finlandez thanë të enjten se ata janë në favor të aplikimit të shpejtë për anëtarësim në NATO, duke i hapur rrugën vendit për të shpallur zyrtarisht ofertën e anëtarësimit në ditët në vijim.