KosovaLajme

“A mos do Rama që Kurti të tradhtojë shumicën e qytetarëve, për t`iu bashkuar idesë së tij pro serbe?”

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ditë më parë, ka deklaruar se me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin ka mosdakordësi konceptuale për Ballkanin e Hapur.

Rama thotë se nuk e pranon dot idenë që Kosova është larguar nga tavolina e diskutimit, ndërsa Serbia është e pranishme.

“Kemi një mosdakordësi konceptuale përsa i takon qasjes së politikës rajonale. Për mua Ballkani i Hapur është interes stratregjik i kombit shqiptar. Ballkani i Hapur është zbatimi i 4 lirive të BE. Ajo që është realizuar nga diplomacia jonë me Beogradin, Presidenti i Serbisë ka pranuar lëvizjen e lirë të njerëzve si pjesë e asaj që sot e quajmë Ballkani i Hapur. Procesi i Berlinit është pikërisht ky, por është shumë më i avashtë dhe që varet nga burokracia europiane. Ne nuk kemi nevojë që të na mbledhin. Ballkani i Hapur është duke u mbështetur shumë shpejt nga të gjithë. Kur ne pamë që Procesi i Berlinit filloi të zvarritej. Gjëja që nuk kuptoj është ky: dikur bëhej luftë për t’u ulur në tavolinë. Sot serbët janë në tavolinë dhe ikin kosovarët, kjo është e paimagjinueshme. Ballkani i Hapur nuk negociohet, nuk diskutohet, kjo do të bëhet”, deklaroi kryeministri Rama.

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se mos pajtimi i Kurtit me Ramën, ka të bëjë me mos dakordësi rrugëtimesh politike.

Madje sipas Mehazit, në njërën anë është koncept politik i Ramës, që Ballkani i Hapur, është i qëllimshëm dhe kundër Kosovës, madje edhe kundër SHBA-së.

“Mos pajtimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, nuk ka të bëjë me “mosdakordësi konceptuale” si thotë Edi Rama, po me mosdakordësi rrugëtimesh politike kombëtare e shtetërore. Në njërën anë është koncepti politik antikombëtar i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në përkrahje të Serbisë me anë të Ballkanit të Hapur, që është pjellë e qëllimshme serbe-ruse jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër SHBA-ve dhe konceptit evropian të Berlinit për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Që të jetë ironia më e madhe Edi Rama deklaron “se Ballkani i Hapur është interes strategjik i kombit shqiptar”, pse nuk e thotë të kundërtën se Ballkani i Hapur është interes kombëtar serb që kundërshton, dobëson fuqishëm interesat e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai ka shtuar më tej edhe disa pyetje në lidhje me kërkesën e Ramës për “Ballkanin e hapur” dhe kundërshtimin e Kurtit për këtë temë.

“Mos do Edi Rama që Albin Kurti të tradhtojë shumicën e qytetarëve të Kosovës që votuan LVV-në, pikërisht kundër atyre që bashkëpunuan me Vuçiqin për copëtimin e Kosovës e të dakordohet me konceptin e Ballkanin të Hapur serb. Kurti të lë mënjanë idetë amerikane, evropiane për fuqizimin e Republikës së Kosovës e të forcojë e ushqejë apetitet serbe-ruse-sllave të Vuçiqit e Ramës me anë të Ballkani të Hapur të tyre? Mos do Rama që për shkak Ballkanit të tij të Hapur, Albin Kurti t’i mbyllë dyert evropiane e amerikane për dëshirat e tij serbo-sllave?”, theksoi Mehazi.

Tutje, ka potencuar se deklarata e Ramës, tregon se Ballkani i Hapur, është kundër konceptit të Kosovës, pra, hap dyert sllave-ruse dhe mbyll ato evropiane.

Ai më tej ai shtoi se gjithmonë në dëm të shqiptarëve, serbët janë ulur në tavolinë me shqiptarët.

“Vetë deklarata e Ramës se: “Procesi i Berlinit është pikërisht ky, por është shumë më i avashtë dhe që varet nga burokracia evropiane. Ne nuk kemi nevojë që të na mbledhin.”, tregon se ky Ballkan i Hapur i Vuçiqit e Ramës është kundër konceptit të Kosovës, BE-së e SHBA-së e në favor të Serbisë e Rusisë. Ballkani i Hapur i tij dhe i Vuçiqit hap dyert sllave-ruse e mbyll dyert evropiane, Ramoviçi lavdërohet me Vuçiqin pse është ulur në tavolinë me shqiptarët, por e vërteta historike tregon se serbët çdoherë janë ulur në tavolinë me shqiptarët në dobi të tyre e në dëm të shqiptarëve”, ka përfunduar ai.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button