Sa pasuri zotërojnë shqiptarët?
Banka Botërore ka publikuar së fundmi raportin me titull “Ndryshimi i pasurive të Kombeve për vitin 2021 (The Changing Wealth of Nations 2021). Ky raport bazohet në një bazë unike të të dhënave globale të aseteve që lejon ekzaminimin e detajuar të vlerës themelore të një kombi, pasurinë. Asetet që çojnë në vlerën themelore që është pasuria janë: kapitali i prodhuar dhe toka urbane, kapitali natyror i rinovueshëm, kapitali natyror i papërtëritshëm, kapitali njerëzor, mjetet e huaja neto.
Në këtë publikim është vlerësuar dhe pasuria totale për frymë e vendit tonë për vitin 2018, duke përfshirë indikatorët e përmendur më lart. Për Shqipërinë, pasuria për frymë vlërësohet $64,335, që e përkthyer në lekë është 6.8 mln lekë. Nëse do të merrnim indikatorët një e nga një, shohim se, kapitali i prodhuar për frymë vlerësohet $29,577, kapitali njerëzor për frymë vlerësohet në $28,334. Nga ana tjetër po të flasim për kapitalin natyror të rinovueshëm, ku përfshihet kryesisht toka bujqësore dhe çdo aset tjetër natyor, i rinovueshëm, ai vlerësohet në $7,685 për frymë. Sa i përket burimeve natyrore jo të rinovueshme, si hidrokarubret, pasuria mestare për frymë e shqiptarëve vlerësohet në $1,350 për frymë. Sa i përket aseteve të huaja neto, një indikator që tregon në rast se vendi është huadhënës apo huamarrës, ato vlerësohen në $-2,611 për frymë. Krahasuar me vendet e rajonit të përmendura në raport që janë Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, vendi ynë ka vlerën më të lartë të pasurisë totale për frymë. Nga ana tjetër po të marrin vendet e Europës, shohim se Shqipëria renditet nga fundi, ndërsa vendi i cili ka vlerën më të lartë të pasurisë është Norvegjia me $1.2 mln dollarë për frymë.
“Ndryshimi i pasurive të Kombeve për vitin 2021″ The Changing Wealth of Nations 2021 (CWON 2021) zbulon se është në rrezik mirëqenia materiale: nga shfrytëzimi i paqëndrueshëm i natyrës, nga keqmenaxhimi dhe çmimi i gabuar i aseteve që përbëjnë pasurinë kombëtare, si dhe nga mungesa e veprimit kolektiv në nivel lokal, kombëtar dhe nivelet rajonale. / SCAN INTELLIGENCE UNIT/