LajmeTurizem

Nalt, në Kelmend dashuri të mëdha për malet, pemët, ajrin

Jemi ngjitur në majat e Kelmendit për t’ju rrëfyer histori njerëzore që jehojnë në Kelmend, dashuri të mëdha për malet, pemët apo ajrin e këtij vendi. Bashkë me historitë gjejmë aty përpjekje të mëdha për të ruajtur traditën dhe të bukurën që brezat ia përcjellin njëri tjetrit. Jemi në Lëpushë.

Qe nga viti 1998 vajzat e këtij fshati vijojnë traditat duke u veshur bukur dhe rrëfyer mitet e trashëguara. Nga viti 2021 Lepusha do të ketë dy festa, sepse tashmë ekziston edhe N’altitude.

N’altitude është një festë që bën bashkë jo vetëm ata që banojnë këtu, por edhe udhëtarë nga Shkodra, Shiroka, Tamara vetëm e vetëm për të prezantuar si dikur të mirat e shtëpisë së tyre, ato që të gjithë ata bëjnë me duart që punojnë.

Naltitude si festë, i ofron mundësinë që turistëve t’ua prezantojnë edhe pasuritë e natyrës, në tri ditë, që ata të rikthehen sërish për të mbushur duart plot dhe mendjen me kujtime të bukura që mund të frymojnë në ajrin e pastër të këtyre maleve. Banorët po i presin të gjithë, shqiptarë e të huaj, të rinj, të rritur apo të vegjël.

“Me ndihmën e shumë institucioneve ne bëmë të gjithë bashkë që sot të kemi një festë jo vetëm me muzikë, por edhe me produkte të zonës, por edhe në respekt të natyrës që po na pret. Pasi në Kelmend janë krijuar tanimë shtigje për ecje, shtigje për biçikletat malore, do të kemi garën e trail running, pra një garë vrapimi që po ndodh përherë të parë në veriun e Shqipërisë dhe një sërë aktivitete të tjera sportive. Kjo është jo vetëm një festë për ata që kanë zgjedhur të njihen me N’altitude, por edhe një mundësi e mirë për komunitetin lokal që jeton këtu për të zhvilluar edhe hapësira më të mëdha për turizmin. Kjo festë që vjen në kuadër të tetorit gjerman është edhe një ndihmë e qeverisë gjermane për të zhvilluar sa më shumë zonën duke e njohur atë përmes kulturës, ndaj shpresoj të kënaqeni”, thonë përfaqësuesit e kooperimit gjerman.

Dhe nuk kishte si të niste festa e këtyre viseve pa kostumet tradicionale që janë një thesar jo vetëm për ata që I mbajnë veshur, por për gjithë kulturën shqiptare. Me një këmishë veshur, e pastaj me një mitan me mëngë të gjata dhe xhoken mbi krahë, vajzat e këtij vendi nisin të kërcejnë.

Xhubleta e njohur, një thesar mes kostumeve shumëngjyrëshe të shqiptarisë, gjendej edhe në Lëpushë, stolisur me motive që sipas zonjave që i përgatisnin ato, kishin gjithnjë motive që lidhen me mëmësinë. Koka zbukurohej gjithnjë me një shami që mundësisht të ishte zbukuruar me thekë që lëshoheshin supeve të vajzave, ndërsa në bel nuk mungonin rripa të pajisur me zinxhirë e stoli që lëshohen deri drejt këmbëve.

Këto kostume visheshin me çorape leshi dhe këpucë prej lëkure, që vjeshtën ndonëse të ngrohtë, në këto maja e ndien edhe më të ftohtë. Magjia e tingujve të kësaj zone dhe larmia e kostumeve i ftuan shpejt të gjithë të bëheshin pjesë e atmosferës, një atmosferë festive që për tri ditë pushtoi Lëpushën. Edhe atëherë kur vallja pushonte çiftelia apo lahuta ushtonte malet. Pak më tutje, një panair me produkte të zonës të ftonte të njihje pasuritë më të mëdha të natyrës aty.

Panairi ishte forma më e mirë që kooperacioni gjerman si organizator kishte zgjedhur për të joshur turistin, vizitorin, por edhe banorët atypari të rrëfenin se çfarë mund të bëjnë për të familjen e tyre, por edhe në mënyrë që turizmi në këtë zonë të gëlojë. E ndonëse me mundësi të pakta akomodimi, këtë fundjavë shtëpitë e Tamarës, Lëpushës dhe Vermoshit u hapën të gjitha edhe në emër të N’altitude, festivalit që qeveria gjermane premtonte se do të ishte një ogur i mirë për të ecur përpara, për të fituar financiarisht me turizmin dhe për të bashkëjetuar me relievin fantastik që ofron kjo zonë.

Takojmë një rapsod. Bashkë me lahutën pranë tij gjendej edhe çiftelia apo fyelli. Të gjitha ai i realizonte vetë, fliste për to po aq sa edhe luante me to.

Natyra të ftonte në këto anë edhe për aktivitete sportive. Shtigjet e para për garat e vrapimit dhe ato me biçikleta ,malore janë gati. Më të guximshmit ngjisin maja për orë të tëra. Por, të gjithë janë gati ta shijojnë natyrën.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button