Lajme

‘Tërbohet’ Lista e Vuçiqit: Kush e la ministrin Mehaj të kalojë në Veri të Kosovës?

Vizita e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak në Veri të Kosovës e ka alarmuar Listën Serbe.

Përmes një reagimi publik, nga kjo listë kanë kërkuar llogari se kush ia ka mundësuar kalimin Mehajt në Veri të vendit, atje ku banojnë serbët.

“Lista Serbe rreptësishtë dënon provokimin e sotëm të organizuar nga Prishtina, kur në Veri të Kosovës, ministri i Policisë, Xhelal Sveçla, dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, nga Prishtina, kanë qëndruar në vendbanimet serbe”, thuhet në një pjesë të komunikatës.

“Në këtë moment qytetarët janë të mërzitur dhe po pyesin se në çfarë kapacitetesh ministri Mehaj ishte në zonën serbe, me çfarë rasti, kush e ka ftuar, a ka qenë i shoqëruar nga anëtarë të FSK-së dhe nga kush e kanë marrë lejen që të futen në Veri?”.

Në Veri të Kosovës Mehaj ishte bashkë me ministrin tjetër, atë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por Lista Serbe problemin e ka pasur me këtë të parin.

Kjo për arsye, se, sipas tyre, me marrëveshje, asnjë ushtarë i FSK-së nuk duhet të kalojë në Veri, përveç me ndonjë leje të KFOR-it, prandaj ministri, që është edhe udhëheqësi politik i kësaj trupe, nuk do të duhej të shkonte në Veri.

“Ne bëjmë me dije se kjo nuk ishte një vizitë e zakonshme, por një provokim i pastër që ka shqetësuar qytetarët tanë që me të drejtë kërkojnë të ndalohen këto provokime të cilat minojnë paqen në rajon”, thuhet tutje në komunikatën e Listës Serbe.

Njoftimin për vizitën në Veri e ka bërë Vetë Mehaj.

Ai, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka shkruar se kanë vizituar pikë kalimet kufitare në Jarinje e Bërnjak, “për të parë nga afër kontrollin strik, i cili po mundëson luftimin me efikasitet të kontrabandës”.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button