Vulin: Serbisë s’i duhen rusët, për kthim në Kosovë
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Akeksandar Vulin, ka vazhduar me fyerje ndaj shqiptarëve duke i quajtur “shiptari” dhe duke kërcënuar me forcën që ka vendi i tij.
Ai, siç përcjellin mediat serbe, në një reagim për deklaratën e ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati, se Serbia po angazhon vullnetarë rusë për të destabilizuar veriun, ka thënë se Serbia nuk ka nevojë për ta dhe se për okupim, apo kthim në Kosovë, siç e ka quajtur ai, mjaftojnë serbët e Kosovës.
“Kur të shqiptarët mbretëron frika dhe ndërgjegjja e papastër, ata zakonisht flasin për agresionin serb dhe rrezikun rus dhe fillojnë të ankohen se sa i rrezikshëm është Vuçiqi dhe Serbia.. As presidenti Vuçiq dhe as unë nuk po kërkojmë vullnetarë rusë”, tha ai.
Vulin më pas foli për forcën që ka ushtria serbe dhe vetë shteti i Serbisë.
“Për kthim në Kosovë nuk na duhen rusët, na mjaftojnë serbët e atjeshëm. Për këtë janë bindur shqiptarët kur dërguan njësitë speciale në veri, por që i kthyen prapa të turpëruara e të mposhtura”, tha Vulin, ideator i projektit “bota serbe”, që nga vendet e rajonit është parë si vazhdim i projektit për “Serbinë e madhe”.
Vulin edhe në shumë raste të tjera ka fyer e kërcënuar shqiptarët, por edhe popujt tjerë në rajon.