Erdogan zbulon bisedat me Macronin, frikë ndaj bazës amerikane
Presidenti turk Erdogan është shprehur i shqetësuar në lidhje me ndërtimin e bazës ajrore amerikane në Aleksandropulos të Greqisë, vetëm pak kilometra larg kufirit me Turqinë. Duke folur me gazetarët, Erdogan tha gjithashtu se kishte njoftuar presidentin francez Macron se grekët nuk kanë para për të blerë avionët e avancuar “Rafale” si edhe katër anijet ushtarake.
“Shiko se unë e di, grekët nuk kanë para. Po të gënjejnë. Ata i kanë perëndimit 4 miliard euro borxh”, shprehet Erdogan se i ka thënë Macronit duke iu përgjigjur arsyetimit të tij se ata (grekët sh.r) kishin para, prandaj edhe donin të blinin mjetet ushtarake, raporton abcnews.al.
Erdogan i shprehu Macronit shqetësimin për bashkëpunimin e ngushtë me grekët në fushën ushtarake duke thënë se edhe baza ajrore që po ngrihet në Aleksandropulos përbën një kërcënim të drejtpërdrejt për popullin turk.
Pas afrimit të Turqisë me Rusinë, SHBA-të kanë tërhequr pranë Greqinë linjën e mbrojtjes duke e lënë Turqinë jashtë saj. Kjo e fundit bleu raketat ruse S-400, të cilat kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm për NATO-n dhe SHBA-të në lidhje me sistemet që përdorin.