Boksieri Alban Beqiri ka vazhduar me fitore në Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd. Boksieri i Shqipërisë u fishkëllye derisa po ngjitej në ring, por fishkëllimave të shikuesve serbë u është përgjigjur në mënyrën më të mirë, me fitore.
Beqiri në një të tetën e finales në kategorinë deri 71 kilogramë e mposhti boksierin e Panamasë, Eduardo Beckford Chambers. Rezultati në fund ishte 4:1 në të mirë të Beqirit.
Beqiri ka dominuar dy raundet e para, ndërsa në të tretin ka pasur më shumë telashe. I është përmbajtur stilit të veçantë me goditje të forta dhe aksione jo shumë të shpeshta.
Tani Beqiri është një fitore larg medaljes. Në çerekfinale, dy ditë më vonë, takohet me Zeyad Eashash të Jordanisë.