Alban Beqiri është lavdia e boksit shqiptar në Kampionatin Botëror të të rriturve në Beograd. Pasi ka eleminuar Manian nga Kenia në raundin e parë, të njëjtën gjë ka bërë në mbrëmjen e së premtes, tanimë në raundin e 1/32 të finaleve ndaj lituanezi Banis.
Me vendim unanim të gjyqtarisë, Beqiri ka fituar 5-0, ndërsa realisht e ka dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund. 29-28, 30-27, 30-27, 30-27, 30-27 ishin pikët e gjyqtarisë, gjithnjë në favor të boksierit bardheblu, Alban Beqiri, i cili vijon të jetë në formën e tij maksimale.
Tanimë në raundin e 1/16 të finaleve ai do të ketë përballë fituesin e çiftit Bekford (Panama) – Shiuan (Taipei), ndërsa kjo ndeshje do të jetë të dielën e 31 tetorit. Sakaq përpara tij, tashmë në peshën 86-92 kilogram, është eleminuar Indrid Laçi, i cili është mundur nga anglezi Uilliams 5-0. 26-30, 27-30, 25-30, 26-30, 26-30 pikët e gjyqtarisë për anglezin Uilliams, kurse tanimë e gjithë vëmendja është tek Alban Beqiri për atë çfarë do të mund të prodhojë deri në përfundim të këtij Kampionati Botëror të boksit për të rritur në Beoograd.