LajmeSociale

Fshatrat e mbetur shkretë, kryeplaku në lot: Kur lind një fëmijë bëjmë festë

“Kur i shoh shtëpitë e mbyllura më vjen me kja” kështu e nis rrëfimin e tij Gegor Pemaj kryeplaku i fshatit Obot i Vjetër në Shkodër për emisionin “Jeta pa filtër” të autores Ervisa Lula.

“Në zonën tonë ka shumë fatkeqësi, braktisja u bë në masë për shkak se niveli i qeverive ishte shumë i dobët.
Kur kujtoj fëmijërinë time ishim 30 fëmijë që luanim dhe ndanim bukën e kripën me njëri tjetrin, ndërsa tani nuk ka asnjë as për ta pyetur se si je.

Kjo ka qënë zona më e lashtë e qytetit të Shkodrës, këtu ka qënë porti, para 630 vjetëve ka pasur shtypshkronjën e parë, ka patur pafund vapora të ndalur që vinin nga vende të ndryshme të botës, ka patur me qindra njerëz të punësuar ” kujton ai.

Profesori i njohur Përparim Kabo e konsideron fenomenin e shpopullimit në masë si një fatkeqësi kombëtare, ai thotë se: “Është më shumë se tragjedi, fatalitet. Zbrazja e territorit ka krijuar dy Shqipëri, Tirana me qytetet e mëdha dhe vendet e mbetura pa njerëz, pa njerëz do të thotë pa histori.
Administratori i njësisë Ana e Malit përshkruan po ashtu të njëjtën situatë.

Ai thotë se përmbytja është njëra nga problematikat më të mëdha me të cilat përballen: “Gjatë periudhës së pandemisë banorët punuan tokën të siguronin jetesën, në periudhën shkurt –prill pati sërish përmbytje, mbetëm në mëshirë të fatit dhe aty filloi largimi i banorëve në masë.

Janë mbyllur disa shkolla se nuk ka nxënës, ajo e Obotit u mbyll para 5 viteve, jemi në limite, kur mbyllet një shkollë është një fatkeqësi e madhe. Ka patur banorë që kur kanë ardhur nga emigrimi i kanë gjetur familjarët e tyre te vdekur.”

I përlotur Gegor Pemaj i cili përveçse kryeplak i Obotit është banor i vjetër i kësaj zone thotë se: “Do doja të shihja dhe një herë rrugën e mbushur me djem e me nuse shkollën plot me nxënës, kishën që mbushej me 400 njerëz, kam shpresë ta shoh edhe një herë”.

Në një analizë të thellë të këtij fenomeni kaq të rëndë antropologu dhe profesori i njohur Kabo thotë se e gjitha kjo është përgjegjësi e atyre që kanë marrë përsipër të administrojnë sovranitetet e zgjedhësve:

“Nëse ti nuk di të ndërtosh politika sociale, politika të zhvillimit, të garantimit të jetës, të drejtat e njeriut duhet të jenë kudo të garantuara që nga uji i pijshëm, cilësia e shërbimit, heqja e mbetjeve urbane,transporti publik, kushtet në shkolla, shërbimi mjekësor etj.

Nëse këto kushte cedojnë atëherë këto zona do të zbrazen sepse njeriu nga natyra do të shkojë atje ku kushtet e zhvillimit janë më të mira.” Ndërsa për historianen Nevila Nika është e frikshme kjo që po ndodh në shumë aspekte duke filluar nga humbja e krahut të punës deri tek ikja e brezit të ri.

Sipas saj kjo situatë është si një pemë e cila nuk mund të rigjenerohet më, nuk ka më jetë.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button