LajmeOpinion

BE, për Serbinë nënë, për Kosovën njerkë!

Tanimë janë bërë 10 vjet nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së. Duke shikuar në kohën pas, pyetja që lind vetvetiu është: Cili është rezultati i një dekade bisedime?! Përgjigja e kësaj pyetje, e cila lind edhe pyetje të tjera, në parim nuk ka sjell rezultatet as minimale në afrimin e mendimeve të palëve të përfshira në këtë proces. Si Kosova ashtu edhe Serbia janë në pozicione të njëjta, Kosova s`ka pse të lëviz nga pozicioni i saj, shpesh është treguar edhe e pa dinjitet karshi vetës për hir të kompromisit, të cilin Serbia në vazhdimësi e ka refuzuar. I pari që ka nisur këto bisedime ka qenë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa asnjë plan serioz, konkret dhe në harmoni me gjithë spektrin politik në Kosovë. Këto bisedime, të cilat Hashimi i quante teknike, asnjëherë nuk ishin të tilla, s`mund të ishin të tilla derisa Serbia s`të njeh, pa njohjen e Serbisë Kosova s`ka pse bën asnjë hap para.

Nga gjithsej 35 marrëveshjet e arritura, s’mund të thuhet se asnjë nga këto zbatohet 100%, disa pak e disa asnjëherë s`kanë nisur së zbatuari. BE në gjithë këtë proces është treguar e një anshme, haptazi ka mbështetur Serbinë, të cilës i ka hap bisedimet për anëtarësim në BE, derisa Kosovën e le peng për liberalizim të vizave edhe pse i ka përmbushur kushtet.

Pavarësisht se Serbia shpesh herë, sidomos nga Gjermania po kushtëzohet për futjen në BE me arritjen e marrëveshjes më Kosovën, një gjë e tillë nuk e pengon Serbinë që edhe 100 vjet me qëndruar në këtë pozicion. Serbia nuk e ka patjetër futjen ne BE, qytetarët e saj kanë liberalizim të vizave, ekonomia serbe po ndihmohet nga ajo ruse, arabe dhe vendet tjera. Më tepër është interes i BE për ta futur Serbinë në BE për ta tërhequr nga komanda ruse, Kosova e pëson nga kjo gjë, në pritje të arritjes së marrëveshjes me Serbinë janë stopuar edhe njohjet, anëtarësimi i Kosovës në organizatat e ndryshme nuk po ecën, liberalizimi është stagnuar, vetëm durimi nuk po u soset qytetarëve të Kosovës.

Asnjë vend në botë s`do kishte duruar si qytetarët e Kosovës ndaj sjelljeve të BE. Si shenjë revolte me sjelljet e BE ndaj Kosovës të cilën e trajton si njerk, Serbinë si nënë, duhet pezulluar raportet e Kosovës me BE. Kosova s`ka çfarë të ofrojë më shumë, duhet BE të reflektojë karshi veprimeve të saj, të ndryshojë kursin e sjelljeve të saja. Tradicionalisht Evropa ka qenë në anën e Serbisë, Kosova duhet të shikojë kah SHBA, e vetmja adresë e sigurt për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button