HistoriLajme

Shqiptarët në mesjetë, mënyra e jetesës dhe çfarë kemi trashëguar nga ata

Nisur nga të dhënat për familje fisnike të veçanta, studiuesit kanë mundur që të na sjellin jetën e aristokratëve shqiptarë gjatë Mesjetës, jetesë që ishte e përbashkët për të gjithë, pasi ata unifikoheshin rreth vlerave të fisnikërisë që ishin strikte dhe duheshin zbatuar në gjithçka, deri te mënyra e jetesës. Disa dukuri që janë vërejtur në sjelljen e bujarëve shqiptarë të kësaj periudhe, na ndihmojnë të arrihet në përfundimin se aristokracia e qyteteve shqiptare në kulmin e lulëzimit të tyre në Mesjetë, në shek. XII-XIV nuk ndryshon për nga mënyra e jetesës prej banorëve të qyteteve dalmatine.

Shtëpitë e fisnikëve dalloheshin nga përmasat e mëdha, cilësia e materialit të përdorur e nga mjeshtëria e ndërtimit, si dhe nga pajisjet luksoze të tyre. Guri i latuar dhe druri i gdhendur kanë qenë materialet kryesore që hijeshonin pamjen e jashtme e të brendshme të banesave të familjeve fisnike, krahas përdorimit të tullës së pjekur si dhe të tjegullës si mbulojë për çatitë. Muret e brendshme të banesave ishin të suvatuara.Tjegullat përdoreshin vetëm në ndërtesat e mëdha, si p.sh.në kuvendet dhe kishat. Të gjitha shtëpitë më të mira kishin para hyrjes një shkallë druri me themele guri, pastaj ballkone të mëdha prej druri në katin e parë. Krahas lyerjes së shpeshtë me gëlqere, që përdorej gjerësisht dhe si material kryesor dezinfektimi, muret e dhomave të veçanta ishin të zbukuruara me afreske dhe të pajisura me vatra të mëdha me oxhakë shumë të gjerë, të ngjashme me ato që shihen në kuzhinat e manastireve të vjetra të vendit tonë. Në banesat qytetare, sidomos në kështjellat e zotërve feudalë, kishte vatra e oxhakë të mëdhenj. Natën ato ndriçoheshin me qirinj dylli, të vendosur në shandanë argjendi me dy, tri ose me më shumë llambada. Shandanët ishin të zbukuruar me gdhendje artistike. Sipas një tradite që vjen nga antikiteti, zonat ku rritej ulliri përdornin për ndriçim kandilat me vaj. Ndriçimi me këto kandila është ruajtur deri në shekullin XX, në kishat ortodokse të vendit. Kandilat me vaj, në format e tyre kryesore, bëheshin krejtësisht prej argjendi dhe me gdhendje artistike, që u jepnin një shkëlqim të veçantë mjediseve që ndriçonin. Këta kandilë të kushtueshëm janë pjesë e artit dhe e kulturës bizantine të atyre shekujve dhe janë përdorur gjithandej në viset e pushtuara nga Bizanti.

Banesa, oborri, magazinat dhe stallat e kafshëve (që ngriheshin larg shtëpisë), madje edhe kopshti, bashkë me gropën e gëlqeres, ishin të qarkuara me një mur të përbashkët e të lartë guri. Kur burimet e ujit të pijshëm ishin larg vendbanimeve, në oborrin e banesës hapej një pus, paretet e të cilit visheshin me gurë cilësorë dhe puset lartësoheshin nga niveli i tokës me një grykë guri, që mbulohej me kapakë druri. Në mjediset e banesës ose në oborrin e saj ishte edhe furra familjare për pjekjen e bukës, të mishrave, etj. Në oborr kultivoheshin trëndafila dhe lule të shumëllojshme.

Krahas bukës e gatimeve të tjera me bazë mielli (si qulli, mëmëliga, përsheshi, pitet, petullat, etj.) në shekujt e Mesjetës përdoreshin bulmeti dhe i yndyrnat. Në dokumentacionin e kohës, krahas djathit, përmendet në eksportet edhe qumështi. Në gjellë ishte i pranishëm shpesh vaji i ullirit e kokrrat e tij, artikuj ushqimorë tipikë mesjetarë, që njiheshin që në lashtësi. Mullinj vaji kishte jo vetëm pranë banesave të zotërve feudalë, por edhe pranë manastireve që kishin ullishte.

Mishi konsumohej më shumë në dimër se në verë. Në qytet ai konsumohej veçanërisht në tryezat e fisnikëve e të kështjellarëve të kohës. Baza ishte mishi i pjekur, për të ftuarit më të nderuar edhe mish shpendësh e zogjsh gjahu. Përdorej shumë edhe vera. Në kushtet e kohës, mishi ose konsumohej pas therjes ose ruhej i kripur shumë, prandaj para gatimit duhej lënë në ujë që t’i dilte kripa. Edhe peshku konsumohej mjaft, sidomos në qytetet e bregdetit, i freskët ose i tharë. Mjalti ishte gjithashtu një artikull i përdorur gjerësisht.

Llojet më të përdorura të perimeve ishin qepët, preshët, hudhrat, specat djegës, të freskëta dhe të regjura (turshi). Gjithashtu gjerësisht përdoreshin fruta të freskëta, të thata dhe shurupe, si kumbullat, mollët, dardhat, qershitë, fiqtë etj. Në gjellët e ndryshme të kësaj kohe hidhej shumë edhe uthulla, për të shtuar shijen, gjë që vazhdoi edhe në shekujt e mëvonshëm.

Nëse në tryezat e fisnikëve të kohës mbizotëronin enët prej argjendi masiv, në formë disqesh e pjatancash të mëdha, si edhe potirët me fron dhe kupat, po ashtu prej argjendi, në tryezat e shtresave të mesme qytetare përdoreshin gjerësisht tasat, pjatat dhe pjatancat prej qeramike, të glazuruara me kujdes e hijeshi si brenda, ashtu edhe jashtë, format e të cilave shihen në gjetjet arkeologjike të Mesjetës së hershme.

Po si visheshin fisnikët shqiptarë në Mesjetë? Gjatë shekullit XIII, e pastaj edhe në shekullin pasues, importohej rregullisht një lloj pëlhure e pambuktë, mjaft e qëndrueshme, e quajtur fustan, me të cilën filluan të bëhen edhe ato funde këmishe të gjëra për burra që u quajtën fustanella. Familjet princore dhe aristokracia e lartë vazhduan të ndjekin në veshje modën bizantine, duke përdorur sako brokartesh të kushtueshme apo kadife e stofra, të zbukuruara rëndë me qëndisje ku përdoreshin fije ari e gurë të çmuar. Edhe stolitë e tyre, si kurora e diadema, vathë e tëmthore, gjerdanë me medalione të mëdha, breza etj. ishin prej ari, me perla e me gurë të çmuar.

Në shek. XIV-XV përmenden më shpesh hlamidat e dyfishuara, domethënë me dy faqe dhe mantelet e veshur përbrenda me gëzof. Është interesant fakti se në fillim të shekullit XV të tilla hlamida, në dokumentet veneciane, cilësohen me fjalët ad modum Albanesibus ose secundum eorum ritum. Deri nga fundi i shek. XV veshja e fisnikëve vazhdoi të zhvillohet jo vetëm nën ndikimin e qytetërimit bizantin, por edhe nën ndikimin perëndimor, që hynte te ne kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve me qytetet më të zhvilluara italiane të kohës.

Nga Nikollë Loka

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button