Zbulime të shekullit të III në Bylis
Në Parkun Arkeologjik Kombëtar ‘Bylis’ po vijon ekspedita e Institutit të Arkeologjisë të ASA për projektin e Akademisë së Shkencave për aplikimin e metodave gjeofizike në kërkimet arkeologjike.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se krahas gërmimit arkeologjik po realizohet prospeksioni gjeofizik, si projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Arkeologjisë, nën drejtimin e prof. Neritan Ceka dhe Skënder Mucaj.
“Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis gjatë muajit tetor, mirëpret ekspeditën e Institutit të Arkeologjisë të ASA, që punon për të tretin vit me projektin e drejtuar nga Profesor Luan Perzhita dhe Olgita Ceka, në gërmimin e cisternës të qytetit antik Bylis, duke bërë njëkohësisht restaurimet e sitit”, shprehet ministrja.
Siç njofton Akademia e Shkencave që në ditën e parë të punës u gjet një mbishkrim i shek. III p. Kr. që përmban emrat e zyrtarëve kryesorë të Bylisit, Prytanin dhe Strategun.
Puna paraprake drejtohet nga prof. Skënder Muçaj që asistohet edhe nga studentja e masterit, Amra Minaj. Sipas arkeologëve në Bylys priten zbulime të reja të rëndësishme, një projekt kërkimesh me metoda të reja në bashkëpunim me ekspertë italianë.
Arkeologu Neritan Ceka është shprehur se puna që po bëhet këto ditë në Bylis që është pas 4 dekadash me një ekip shqiptar, edhe në 1981 ishte po Akademia e Shkencave që u mor me gërmimet.
“Pas 40 vitesh po zhvillohen për herë të parë gërmimet vetëm me ekip shqiptar arkeologësh. Janë bërë dikur në 1981 dhe në atë kohë para 40 vitesh është bërë po nga Akademia e Shkencave. Puna po vijon në parkun Bylis dhe ka rëndësi se është projekt i Akademisë së Shkencave me Institutin e Arkeologjisë (ASA)”, është shprehur profesor Ceka, në lidhje me punën në Bylis.