Lindur dhe rritur në Fier, Klevis Mino ka qenë nxënës dhe student ekselent, i dalluar për njohuritë e thella në shkencat ekzakte. Fitues i olimpiadave rajonale dhe kombëtare në matematikë dhe informatikë, Klevisi ka përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Informatikës IOI 2010. Klevis Mino ka mbaruar studimet Bachelor për Informatikë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN). Gjatë kësaj periudhe, ka krijuar aplikacione të ndryshme për Android dhe Web. Për këtë, Klevisi është nominuar në kategorinë “Mobility of the Year në ICT Awards” në 2013 dhe ka fituar vendin e 3-të në “Tirana Startup Weekend 2013”.
Në saje të rezultateve të shkëlqyera, Klevisi u përzgjodh si një nga studentët më të mirë të FSHN-së dhe iu ofrua një bursë studimi në Universitetin e Camerinos (UNICAM) në Itali. Aty kreu studimet në nivelin Master për Computer Science. Ndër studentët e dalluar të UNICAM, Klevisit iu ofrua mundësia për te kryer një master të dyfishtë për Business Information System në Universitetin e Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Zvicrës Veri-Perëndimore (FHNW). Gjatë kësaj periudhe, Klevisi ka kontribuar si kërkues shkencor pranë UNICAM dhe FHNW.
Në vitin 2015 Klevisi filloi të punojë si Zhvillues Software pranë Wabion AG, Zvicër. Si pjesë e Wabion, krijoi aplikacione të ndryshme si vizualizim të dhënash në Google Maps, automatizim procesesh nëpërmjet Google Apps, dhe faqe kërkimi bazuar në Google Search Appliance. Këto projekte ishin të bazuara në kërkesat e klientëve zviceranë dhe ndërkombëtarë si AXA Insurance, TX Group, Ringier, Zurich Insurance Group, Partners Group, HSG, ZHAW, etj.
Në vitin 2018 Wabion u etablua si një nga kompanitë më të mëdha partnere të Google Cloud në rajonin DACH (Zvicër, Gjermani dhe Austri) dhe Klevisi u promovua në Google Cloud Architect. Si përgjegjës për arkitekturën e aplikacioneve native në Google Cloud, mundësoi kompani si Swiss Steel, Coop, Idorsia, Novartis, MGB, Coca-Cola HBC, të implementojnë sisteme ERP, menaxhimi të dhënash, analizë të dhënash gjeografike, menaxhimi të aseteve në kohë reale, etj. Në bashkëpunim me një nga mediat më të mëdha në Zvicër “20Minuten”, ndërtoi një platformë për ngarkimin e videove nga miliona shtetas zviceranë, të cilat u përdorën për të krijuar filmin “Switzerlanders”.
Tashmë, Klevisi është Drejtor i Zhvillimit Software pranë Wabion AG. Për shkak të pandemisë, gjatë dy viteve te fundit janë shtuar kërkesat e kompanive zvicerane për dixhitalizim. Në saje të eksperiencës me teknologjitë e Google Cloud, Klevisi po ndihmon këto kompani të ndërtojnë aplikacione, sisteme ruajtjeje dhe vizualizimi të dhënash në mënyrë të sigurt, efikase dhe automatike.
Me këto të arritura, Klevisi tregon qytetarin shqiptar të integruar dhe shembull i njeriut të punës e dijes. Mban lidhje të ngushta me Shqipërinë dhe përfaqëson vlerat më të mira të shqiptarit punëtor e të palodhur që gjithçka e ka arritur përmes punës, edukimit profesional, korrektësisë dhe angazhimit shoqëror. Ai tashmë ka dhe kontakte të ngushta edhe me Ambasadën e RSH-së në Bernë.