REL: Bisedimet në Bruksel për targat vazhdojnë edhe të enjten
Delegacioni serb në bisedimet me Kosovën në Bruksel e ka përfunduar takimin me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak mirëpo nuk kanë dhënë përgjigje nëse e pranojnë draft dokumentin për zgjidhjen e çështjes së targave të automjeteve, e cila ka shkaktuar tension gjatë ditëve të fundit në veri të Kosovës.
Burime të Bashkimit Evropian i kanë thënë gazetarit të Radios Evropa e Lirë në Bruksel se negociatat pritet të vazhdojnë edhe nesër, më 30 shtator.
Delegacioni serb udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Më herët, shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është finalizuar një draft-dokument për zgjidhjen e çështjes së targave, me ndërmjetësimin e BE-së, mirëpo Beogradi edhe nuk e ka dhënë pëlqimin.
“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha Bislimi.
Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente: që nga dita e hënë si Serbia ashtu edhe Kosova të avancojnë dhe të përdorin “letrat ngjitëse” në vend të tabelave. Kjo zgjidhje, sipas tij, do të jetë e përkohshme pasi në të njëjtën kohë do të krijohet edhe një grup punues i cili brenda gjashtë muajsh do të gjejë një zgjidhje të përhershme të problemit të lëvizjes së lirë.