Qeveria e Maqedonisë për “Non-paper”-in: Zyrtar është vetëm propozimi portugez
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka reaguar në lidhje me “Non-paperin” e ri për kontestin me Bullgarinë, i cili u publikua sot nga disa mediume.
Për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut zyrtar është propozimi i prezantuar gjatë periudhës së kryesimit të Portugalisë me BE-në.
“Konsiderojmë se ai propozim mundëson zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në proces, me qëllim tejkalimin e dallimeve me Republikën e Bullgarisë, me çka edhe do të mënjanohen pengesat për fillimin e negociatave aderuese me BE-në. Kjo është në interes të qytetarëve në të dyja vendet e me këtë edhe në interes të agjendës evropiane”.
“Shpresojmë që sa më shpejt që është e mundur do të krijohen kushte politike në Bullgari që të hapet mundësia për dialog intensiv në mes Shkupit dhe Sofjes për zgjidhjen e çështjeve që kanë shkaktuar bllokim të procesit të zgjerimit të BE-së”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Ndryshe, në “non-paperin” e ri thuhej se të dy shteteve do t’u jepen garanca për forcimin e konceptit të tanishëm të kombit-shtet.