DiasporaLajme

Matematicienia e njohur shqiptare në SHBA: Nuk hezitova të arrij qëllimet e mia

Bashkëthemeluese e një prej disiplinave më të reja të matematikës, e cilësuar si matematiciene e klasit botëror, profesoresha në “Rutgers University” Fioralba Cakoni rrëfen për pasionin e madh për matematikën. Ajo është emëruar profesoreshë e nivelit të dytë në Universitetin ku punon, një titull që i jepet profesorëve që kanë kanë kontribuar në profesion përtej detyrave të profesorit.

“Kur ne nisëm fakultetin ishte hera e parë që ishim 11 veta në grup dhe vajza ishim vetëm unë dhe një shoqe, Mimoza. Kur isha studente unë ëndërroja të shkoja në Francë, sepse një grup në fakultet shkuan në Francë dhe aty u frymëzova. Kufiri i imagjinatës në atë kohë ishte Franca, por Amerika jo. Momenti që më futi në rrugën e matematikës ishte në vitet e para të gjimnazit, e frymëzuar edhe nga mësuesja ime e matematikës në gjimnazin e matematikës. Me mësuesen e gjimnazit kam ruajtur kontaktet gjithmonë, edhe tani kur kthehem në Shqipëri e takoj çdo herë. Edukimi që kemi marrë në Shqipëri ka qenë shumë i vlefshëm dhe shumë efikas.”

Për Cakonin rëndësi ishte karriera dhe profesioni ndaj guxoi gjithçka për të realizuar ëndrrat e saj: “Unë gjatë gjithë rrugës time nuk e kam pasur si parim të parë që unë jam në minoritet dhe kjo më ka bërë mua që të jem e guximshme dhe të mos hezitoj të arrij qëllimet e mia”, shprehet Cakoni.

Profesore Fioralba Cakoni është botuese e katër librave: “Këto libra trajtojnë rezultatet që unë kam pasur me bashkëpunëtorët e mi. Në të gjithë librat bashkautori është David Colton. Për të ecur përpara në matematikë është shumë e rëndësishme të kesh një mentor që është i dëgjuar në fushën ku do vazhdosh dhe është i interesuar të të drejtojë. Unë isha me fat që mentori im ishte David Colton”, shprehet matematicienia Cakoni.

Fioralba Cakoni është autore e katër librave, por edhe e 120 artikujve shkencorë.

“Shkrimet shkencore janë të ndërthurura me punën tonë dhe mësimdhënien dhe ndihmojnë njëra-tjetrën. Kam pasur fatin të punoj me studentë shumë të zgjuar dhe më kanë motivuar të punoj dhe të shkruaj më shumë. Mësimdhënia e specializuar dhe kërkimi shkencor janë të ndërthurura”, shprehet Cakoni.

Fioralba Cakoni tregon se si nis java e saj, gjithmonë e fokusuar tek profesioni: “Java ime është e zakonshme, cdo mëngjes shkoj në punë, ka raste edhe në fundjavë. Nëse kam mësim bëhem gati për leksionin, nëse jo merrem me kërkime shkencore. Diskutime me studentët, mësime, ulem për orë të tëra të zgjidh probleme, kështu ikin 7 ditët e mia të javës. Mbështetja e bashkëshortit ka qenë e madhe dhe më ka ndjekur gjithmonë në rrugën time profesionale. Vajza ime Eni është e apasionuar në krijimtari dhe analiza letrare.”

Shfaq më shumë

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button